Padyshim, transferimi më i rëndësishëm për Milanin në këtë merkato ishte Charles De Ketelaere i afruar për shumën e 30 milionë eurove nga Club Brugge. Talenti belg ka nisur menjëherë të tregojë cilësitë e tij me fanellën kuqezi duke spikatur në fushë ndërsa në katër paraqitje për skuadrën e trajnerit Stefano Pioli, ka dhuruar një asist.
Elozhet për 21-vjeçarin nuk kanë fund dhe së fundmi ato vijnë nga trajneri i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez. Ky i fundit thekson se De Ketelaere të lë pa fjalë me talentin e tij teksa shton se shumë pak lojtarë në Europë kanë klasin në asiste apo finalizimin e belgut të Milanit.
“De Ketelaere “e vjedh” vëmendjen dhe me aftësitë teknike thjesht të lë pa fjalë.
Është fleksibël dhe ka shumë elegancë kur luan futboll. Ka koordinimin e duhur dhe shumë pak lojtarë në Europë kanë pasimin e fundit apo finalizimin e De Ketelaere. Ne e ndjekim atë prej kohës së kombëtares U21 dhe ai është gjithnjë në rritje. E veçantë është edhe aftësia e tij për të mbuluar çdo rol në sulm”, u shpreh Martinez.