Manchester Utd dhe Arsenal përballen në momentin më të mirë

Futboll

Manchester Utd dhe Arsenal përballen në momentin më të mirë

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 15:29
Manchester Utd dhe Arsenal

Një nga duelet më të famshme të futbollit britanik do të rikthehet sërish për të ndezur më shumë se kurrë spektaklin në nisjen e një edicioni më emocionues se kurrë. Manchester United përballë Arsenal. Një klasike që nuk ka dështuar kurrë së dhuruari dramë, tension dhe futboll të bukur, siç njihet edhe nga anglezët ‘The Battle of the Buffet’, e quajtur kështu për episodin e famshëm në 2004, kur Ferguson u godit me një copë picë kur sapo kishte parë skuadrën e tij t’i jepte fund ecurisë prej 49 ndeshjesh pa humbje të “Topçinjve”.

Ecuria e javëve të fundit nga skuadrat që numërojnë së bashku 33 tituj kampion, krijon vend mjaftueshëm për optimizëm se do të jetë sërish një sfidë me nota të larta emotive dhe që të mban mbërthyer pas ekranit.

Dy humbjet e para të sezonit nga Brighton dhe Brentford janë hedhur pas krahëve tani nga Manchester United që ka arritur të regjistrojë tre fitore me peshë të jashtëzakonshme. Liverpool, Southampton dhe Leicester, të gjitha të mposhtura me diferencën e një goli, por të mjaftueshmë për t’i karikuar “Djajtë e Kuq” në maksimum, dhe përtej natyrës së tyre të shpejtë për të kaluar në eufori pas fitoreve, është e sigurtë se himni i famshëm ‘’Glory Glory Man United’’ do ushtrojë jehonë të fortë në shkallët e Old Trafford, të paktën në prag të fillimit të ndeshjes.

Nga ana tjetër, Arsenali ka befasuar të gjitha pritshmëritë e opinionit publik në nisjen e edicionit të 30-të të Premier League. Pesë fitore radhazi, diçka që nuk e bënin prej sezonit 2004-05, kohë kur e mbyllnin sezonin në vendin e dytë pas Chelseat të Jose Mourinhos. Përballjet direkte sugjerojnë se është një takim shumë i vështirë për t’u parashikuar, pasi Manchester United ka triumfuar vetëm në një nga tetë sfidat e fundit ndaj Arsenalit, në fitoren 3-2 të sezonit të fundit kur vendosnin golat e Cristiano Ronaldos dhe Bruno Fernandes.

Megjithatë, edhe ecuria e “Topçinjve” të Londrës në Old Trafford është një tregues i qartë se impianti mitik i 20-herë kampionëve të Anglisë nuk është një vend aspak miqësor për të luajtur, teksa në 15 transfertat e fundit Arsenal ka fituar vetëm një përballje, atë me rezultatin 0-1 në nëntor të 2020 kur diferencën e vetme e bënte penalltia e Pierre-Emerick Aubameyang.

Me tranzicionin dhe oshilacionet e shumta që dy klubet historike kanë kaluar në vitet e fundit, lajmi më i mirë është rikthimi i tyre në identitetin e lojës së bukur dhe luftës për vendet e para të renditjes, ndërsa fituesi i së dielës do konfirmonte forcat e treguara deri më tani dhe do të siguronte një shtysë të madhe psikologjike për vazhdimësinë. Ndeshjen do të keni mundësinë për ta ndjekur të dielën në SuperSport 2 duke nisur nga ora 17:30.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat