Drenica dhe Ferizaj barazuan pa gola në ndeshjen e xhiros së pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Kryetrajneri i Drenicës, Bekim Shotani pas ndeshjes tha se e kanë kërkuar fitoren që nga fillimi i ndeshjes.
Ai gjithashtu shtoi se përkundër barazimit, ekipi i tij ishte më i mirë statistikisht.
“Mendoj se në ndeshjet si vendës, vetëm fitorja të kënaq. Barazimin nuk e kërkuam. E kërkuam fitoren nga fillimi. Kundërshtari luajti lojë zonale, lojë të mbrojtjes.
Kërkuam golin nëpërmjet krahëve, me topa në thellësi. Më pas u desh të krijonim aksione me mbrojtës të krahut, por nuk ia arritëm qëllimit.
Në pjesën e dytë avancuam edhe me një lojtar më shumë në zonën e kundërshtarit dhe dërguam më lartë një mesfushor, por përsëri nuk ia arritëm të shënonim. Rezultati ishte baras, por në aspektet statistikore dominuam”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Drenicës, Bekim Shotani.