Chelsea njoftoi sot shkarkimin e Thomas Tuchel nga posti i trajnerit. Humbja befasuese ndaj Dinamo Zagrebit (1-0) në debutimin e Ligës së Kampionëve ka përshpejtuar shkarkimin e papritur të trajnerit gjerman. Pa dyshim ky ishte një nga lajmet më të papritura në skenën e futbollit ndërkombëtar, në fillim të sezonit të ri.
Pavarësisht se kanë kaluar vetëm pak orë nga shpallja, nuk kanë vonuar të shfaqen emrat e parë të kandidatëve për stolin e Chelsea, disa tashmë të zakonshëm si Mauricio Pochettino apo Zinedine Zidane; të tjerë të një profili më të ulët, siç është rasti me Graham Potter ose Roger Schmidt.
Mauricio POCHETTINO (pa ekip) – Trajneri argjentinas, pa skuadër që kur PSG-ja hoqi dorë nga shërbimet e tij në fund të sezonit të kaluar, është i rregullt në listat e kandidatëve kur një stol ‘interesant’ mbetet i lirë. Ai është lidhur edhe me Sevilla pak ditë më parë si zëvendësues i mundshëm i Lopeteguit, nëse ai largohet nga “Sánchez Pizjuán”. Garanci kryesore e Pochettino janë sezonet e tij të mira në Premier League, veçanërisht në stolin e Tottenham, ku përfundoi i dyti më 2016-2017, përveç se shkoi deri në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 me “Spurs”. Për më tepër, ekziston një rrethanë kurioze që Pochettino e zëvendësoi tashmë Tuchel te PSG, në fund të vitit 2020.
Graham Potter (Brighton & Hove Albion F.C.) – Trajneri aktual i Brighton është sipas shtypit anglez favoriti i madh për të zëvendësuar Tuchel në pankinën e Chelsea. Potter e filloi karrierën e tij si trajner me skuadrën suedeze Östersunds (2011-2018); prej andej kaloi në Uells te Swansea (2018-2019) dhe që nga viti 2019 drejton Brighton, një nga zbulimet e mëdha të sezonit aktual në Premier League. Ai zë vendin e 4-t në klasifikimin aktual, me 12 pikë… 2 më shumë se vetë Chelsea (i 6-ti, me 10 pikë).
Roger Schmidt (Benfica) – Një bashkatdhetar i Tuchel, trajneri gjerman është gjithashtu në listën e kandidatëve për stolin e Chelsea, megjithëse handikapi kryesor i tij është se ka vetëm disa muaj te Benfica. Tani për tani, ai ka fituar pesë ndeshjet e para në kampionat me ‘shqiponjat’. Meritat e tij për të arritur në “Stamford Bridge”? Ai fitoi ligën austriake me Red Bull Salzburg më 2014; përfundoi i 3-ti në Bundesligën gjermane me Bayer Leverkusen më 2016 dhe në dy sezone në pankinën e PSV Eindhoven doli nënkampion.
Zinedine Zidane (pa ekip) – Francezi është një rast shumë i ngjashëm me atë të Pochettino. Që kur u largua nga pankina e Real Madridit në fund të sezonit 2020-2021, ‘Zizou’ është lidhur me skuadra si PSG apo edhe me kombëtaren francize. Ëndrra e tij është të bëhet trajner i “gjelave”. Pavarësisht se nuk ka përvojë në Premier League, as si lojtar dhe as si trajner, historia e tij e shkëlqyer me skuadrën madrilene (3 Liga të Kampionëve dhe 2 La Liga) e bën atë një kandidat shumë tërheqës për “Stamford Bridge”.