Xavi: Gabime të tilla paguhen shtrenjtë në Europë

Futboll

Xavi: Gabime të tilla paguhen shtrenjtë në Europë

Më: 8 shtator 2022 Në ora: 12:48
Xavi

Pritja e Xavi Hernandezit për fitoren e parë në një ndeshje në Kupat e Europës në “Camp Nou” ka marrë fund.

Pas katër takimesh radhazi pa asnjë sukses europian në Barcelonë, tekniku i katalanasve ka shijuar suksesin e parë, që ka qenë me pesë yje.

Barça e tij ka mundur me lehtësi Viktoria Pilzenin në një takim të dominuar nga fillimi në fund. Levandovski ka qenë edhe një herë protagonisti i mbrëmjes me tripletën e tij të parë me fanellën “blaugrana”.

Pas takimit, trajneri i Barçës nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij për rezultatin dhe paraqitjen e bërë nga skuadra e tij.

“Dëshironim ta nisnim këtë edicion në Ligën e Kampioneve dhe jam i kënaqur që kemi bërë startin e duhur. Skuadra më ka pëlqyer për pjesën më të madhe të takimit.

Ajo që më kënaq është se veç pesë golave kemi krijuar mundësi të shumta për shënim. Dembele ka qenë i mahnitshëm, ndërsa Levandovski si gjithnjë bën diferencën”, ka komentuar Ksavi.

Por në suksesin ndaj kampionëve të Çekisë ka vend edhe për kritika. Ksavit nuk i ka pëlqyer aspak goli i pësuar dhe nuk ka harruar ta përmendë para kamerave.

“Kemi qenë superiorë në çdo drejtim, por goli i pësuar nuk më ka pëlqyer aspak.

Ai erdhi nga një gabim i yni, plotësisht i evitueshëm. Gabime të tilla paguhen shtrenjtë në Europë, nuk e kemi luksin t’i bëjmë. Kjo do të thotë se përtej anëve pozitive, kemi shfaqur dhe probleme”, ka shtuar Xavi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat