Ecuri perfekte deri tani nga Real Madrid, që e ka inauguruar La Liga-n duke u arratisur menjëherë në krye me katër fitore nga katër dhe me një debutim fitues edhe në Champions League, me fitoren e pastër 3-0 kundër Celtic.
Carlo Ancelotti dhe lojtarët e tij synojnë të konfirmohen dhe i kanë dhënë një mesazh të qartë të gjithëve. Edhe pse ka pak shqetësim për shkak të dëmtimit të Benzema në Skoci. Megjithatë duket e qartë se, në Spanjë dhe në Europë, të gjithë do të duhet të përballen me dëshirën e kampionëve në fuqi për t’i mbrojtur titujt e fituar sezonin e kaluar.
Për trajnerin italian e dimë që tani se kjo do të jetë eksperienca e tij e fundit në stol, para tërheqjes. Një tërheqje që mund të ndodhë edhe më përpara nga sa është parashikuar. Afati është përcaktuar me skadencën natyrale të kontratës së tij, më 30 qershor 2024, por nuk mund të përjashtohet, sipas Daily Express në Angli, që rrugët të mund të ndahen që në fundin e sezonit aktual.
Shumë do të varet nga mënyra si do të mbyllet sezoni aktual dhe nga ndjesitë që do të ketë vetë Ancelotti, që për momentin duket se po argëtohet akoma shumë në stol, por situata mund të ndryshojë pas pak muajsh.
Në rast se do të kemi një lamtumirë të parakohshme, atëherë duhet bërë kujdes ndaj kandidaturës së Thomas Tuchel, i papunë luksi prej disa ditësh pas shkarkimit nga Chelsea. Gjermani ka përjetuar një shkarkim të dhimbshëm, por mbetet një nga trajnerët më të mirë në qarkullim: nuk janë të shumtë që mund të krenohen për një triumf në Champions League.
Kështu, duhet bërë kujdes nga ajo që mund të jetë zgjedhja e Florentino Perez për pasardhësin e Ancelotti-t, duke marrë parasysh se Tuchel, në momentin që mori drejtimin e Chelsea-t, ka marrë menjëherë rezultate të mira.