Xavi: Situatë e pakëndshme, jeta është para çdo gjëje

Futboll

Xavi: Situatë e pakëndshme, jeta është para çdo gjëje

Më: 10 shtator 2022 Në ora: 22:39
Xavi: Situatë e pakëndshme, jeta është para çdo gjëje

Barcelona ka fituar sot një ndeshje të pazakonte duke mundur në transfertë Kadizin me shifrat 4-0.

Një sukses i merituar, por që do të kujtohet më shumë për ngjarjen në minutat e fundit, ku një tifoz pësoi kolaps në tribunë. Sfida u ndërpre për shumë minuta dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes derisa situata u normalizua.

Një vendim të cilin Çavi Hernandez e ka mirëkuptuar, siç tregoi në fjalët e tij pas ndeshjes, ku cilësoi edhe logjik vendimin e mëtejshëm për të rifilluar sfidën.

“Një situatë e pakëndshme për të gjithë, shëndeti dhe jeta janë përpara çdo gjëje tjetër. Për fat të mirë ia dolën që ta ringjallnin këtë person dhe tani është shëndosh e mirë.

Të dy palët më pas menduam se ishte e përshtatshme që të rifillonim ndeshjen. Por padyshim që të gjithë shpresojmë për rikuperimin e plotë të këtij personi. Ishte një çështje njerëzore, nuk kishte asnjë gjë tjetër. Në këto momente del në pah cilësia njerëzore”, theksoi trajneri i Barcelonës, i cili sigurisht që i dha rëndësi edhe suksesit të skuadrës së tij.

“Ishte një fitore e rëndësishme në një fushë të vështirë. Kemi krijuar raste, dominuar dhe kemi siguruar tre pikë për të vazhduar përpara”, deklaroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat