Vazhdon marshimi mbresëlënës i Erzenit në kthimin pas 19 vitesh në Superiore.
Skuadra shijakase sot ka mundur me shifrat 1-0 Partizanin i cili i kishte bërë start perfekt sezonit, duke u pozicionuar vetëm 1 pikë larg kryesuesve të kampionatit.
Një gol i shpejtë me Nonato në tentativën e parë drejt portës i dha avantazhin shijakasve të cilët më pas ditën të mbronin me shumë rregull për të evituar sulmet e të kuqve.
Partizani krijoi raste, por nuk i shfrytëzoi, sidomos në pjesën e dytë, duke pësuar kështu humbjen e parë të këtij sezoni e duke marrë një goditje për moralin.
Kurse Erzeni, me këtë fitore të parë historike në elitë ndaj Partizanit, ngjitet në vendin e dytë dhe jep një mesazh të qartë për të gjithë ata që e shihnin si kandidatin kryesor për t’u kthyer në Kategorinë e Parë.