Pas merkatos së verës plot me goditje mbresëlënëse dhe emra të mëdhenj (Di Maria, Pogba, Paredes, …), pritshmëritë për bardhezinjtë ishin të ndryshme.
Dhjetë pikët në gjashtë ndeshjet e ligës dhe humbja në Champions League kundër Paris Saint-Germain nuk mund t’i lërë të kënaqur tifozët, të etur për t’u rikthyer te fitoret në Itali dhe në Evropë, shkruan abcnews.al.
Massimiliano Allegri në mënyrë të pashmangshme përfundoi në tavolinën e fajtorëve , i mbajtur përgjegjës për rezultatet e Zonjës së Vjetër për shkak të një loje të cilësuar nga shumë njerëz si shumë të dobët.
Pikërisht për këtë arsye, hashtagu #allegriout ka nisur të qarkullojë mes tifozëve të Juventusit javët e fundit, duke simbolizuar mbështetjen e vogël që gëzon aktualisht trajneri toskan.
Në këtë drejtim, sot ka pasur një thirje interesante mes disa tifozëve dhe Maurizio Arrivabene, CEO i Juventusit. Në fakt, në dalje të Ristorante del Cambio, në fund të drekës së UEFA-s mes drejtuesve të Juves dhe Benfica-s, ish-drejtori i ekipit të Ferrarit iu përgjigj me këto fjalë pyetjes së një tifozi për përjashtimin e mundshëm të Allegrit: “Atëherë ju, e paguani tjetrin që vjen?”.