Armend Thaçi asistoi në golin e parë të Ballkanit në Pragë ndaj Slavias, ndërsa pas ndeshjes foli për SuperSport ku pranoi se është i mërzitur për humbjen. Mbrojtësi i djathtë tha se kishte mbetur i mahnitur nga atmosfera në stadium, që ishte një motivim më shumë për ta, për të bërë mirë.
Sa dhemb një humbje si kjo, sidomos për mënyrën si erdhi?
Nuk ka humbje të mirë asnjëherë, pavarësisht se sot kishim përballë një kundërshtar shumë të fortë. Na djeg kjo humbje, pasi shënuam dy gola shumë të bukur, por përballë një ekipi si Slavia është e vështirë. Na shënuan shumë gola të lehët për ta, të cilët shfrytëzuan maksimalisht edhe gabimet tona.
A ndikoi fakti që luanit në një stadium të mbushur plot?
Ishte një atmosferë shumë e mirë, me stadiumin plot dhe ishte hera e parë për ne që luanim para kaq shumë tifozëve. Ishim shumë të motivuar dhe pavarësisht se ata përkrahin ekipin e tyre, nuk na provokuan në asnjë moment.
A ke një mesazh për tifozët e Ballkanit?
Futbolli luhet për tifozët dhe ne duam ta shohim stadiumi gjithmonë plot, jo vetëm kur luajmë kundër Prishtinës. Do të donim të luanim çdo ndeshje me stadium plot.