Një gol i mjaftoi Aston Villas për të mundur në shtëpi Southampton dhe për t’u rikthyer te tre pikët pas plot katër ndeshjesh pa fitore.
Autori i golit vendimtar ishte Jacob Ramsey në minutën e 41-të, një gol që mmbeti në fuqi për të gjithë pjesën e mbetur të sfidës teksa skuadrat nuk krijuan shumë por mbetën te përplasje në mesin e fushës.
Pas kësaj fitoreje, Aston Villa ngjitet në kuotën e shtatë pikëve në vendin e 13-të, ndërsa Southampton është një pozicion më lart, në të 12-tin me po të njëjtën kuotë pikësh, shtatë.
Në ndeshjen tjetër, Fulham u rikthye te fitorja teksa mposhti në transfertë me rezultatin 2-3, Nottingham Forest. Vendasit në fakt e nisën sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme teksa kaluan në avantazh prej minutës së 11-të falë realizimit të Aëoniyi, një avantazh të cilën e ruajtën përgjatë gjithë pjesës së parë.
Por, fraksioni i dytë rezultoi një “black-out” për vendasit që pësuan tre herë në harkun e gjashtë minutave.
Tete hapi serinë e golave në minutën e 54-të ndërsa më pas realizuan Palhinha dhe Reed. Megjithatë, edhe Fulham nuk është se e manaxhoi mirë avantazhin pasi u ndëshkuan nga O’Brien në minutën e 77-të, për të rihapur shanset për të marrë qoftë edhe një pikë.
Gjithsesi, miqtë e ruajtën rezultatin dhe pas këtij suksesi ngjiten në vendin e gjashtë me 11 pikë, ndërsa Nottingham pavarësisht merkatos me shumë lëvizje, pësojnë disfatën e katërt radhazi dhe mbeten në vendin e 19-të me vetëm 4 pikë në shtatë ndeshje.