Erzeni i Xhevahir Kapllanit po jeton një ëndërr në elitën e futbollit shqiptar, teksa arriti mbrëmjen e sotme një tjetër triumf, teksa kësaj here mposhti Laçin me rezultatin 1-0. Trajneri durrsak i ekipit shijakas, foli pas ndeshjes, teksa ndër të tjera u shpreh:
“Kishim një ecuri pozitive. Kjo ishte ndeshja më e vështirë për ne, u kisha thënë djemtë që të kishim kujdes, sepse euforia mund të ndikonte. Djemtë më kuptuan dhe punuan duke arritur këtë fitore.
Ky ekip siç e kam thënë edhe më përpara, është ndërtuar vonë, do vazhdojmë të ecim javë pas jave. Çdo ndeshje është finale dhe do të hyjmë për rezultat pozitiv.
Ta ndajmë ndeshjen e sotme në 2 pjesë. Pjesa e parë ishte e barabartë, vuajtëm pak, i dhuruam disa topa, vertikalizime. Pjesa e dytë foli për ne, skuadra shtyu përpara. Deri në minutat e fundit kemi luajtur për të fituar, duke qenë në ekuilibër taktik, për të mos krijuar ç’bilancime.
Kisha folur edhe me djemtë, që kjo ndalesa do të na bënte mirë, sepse kemi gjëra për të rikuperuar dhe lojtarë që do të rriten fizikisht. Do na shërbejnë shumë këto 12 ditë.
Duke parë harmoninë në skuadër, Krasniqi diskutoi me Amirin dhe ia la atij. Çdo gjë është fair play.
U ndjeva shumë mirë që ishte Reja bashkë me stafin në stadium, është një emocion nga ana teknike për mua si trajner i ri. Skuadra ka element, por është herët për të gjetur lojtarë për ekipin Kombëtar, por mendoj që kampionati ka elementë për ekipin Kombëtar”, u shpreh Kapllani.