Humbja ndaj Monza ka ngritur shumë pikëpyetje te Juventusi. Debutuesit e Serie A vunë në pah edhe një herë problemet e skuadrës së Massimiliano Allegrit, me një seri negative prej pesë ndeshjesh radhazi.
Bardhezinjtë nuk kanë fituar që nga 31 gushti (2-0 në shtëpi kundër Spezia), me situatën në Grupin H të Champions League tashmë shumë delikate pas 180 minutave të para (humbjeve ndaj PSG dhe Benfica).
Në takimin e zakonshëm në “BoboTV”, Lele Adani ka analizuar momentin e “Zonjës së Vjetër”, duke u ndalur në veçanti te trajneri i saj: “Njerëzit janë elementi thelbësor i futbollit, por nuk mund të durojnë më. Me siguri ajo që po bën Allegri dëmton vetëm një person: vetveten. Atij ndoshta nuk i intereson aq shumë që po lëndon lojtarët e tij, të gjithë tifozët e tij, klubin e tij dhe tifozët e futbollit.
Nuk ka asgjë të drejtë në atë që ai dhe Juventusi po bëjnë. Për fajin e tij, Max mbeti vetëm, po tërheq negativitetin. Kjo për shkak se nuk ka ndërtuar një skuadër solide, nuk ka respektuar historinë e Juventusit dhe, herë pas here, është tallur me mjedisin bardhezi”.
Kolumnisti dhe ish-mbrojtësi u fokusua te bardhezinjtë mes të shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes: “Juve u dominua nga Monza edhe kur po luhej në 11 kundër 11. Tri vite më parë Allegri vinte nga pesë kampionate të fituara. Nuk kisha asgjë më parë, por kuptova se si kishin ardhur, duke respektuar një trajner fitues, që bëri historinë e Juventusit dhe futbollit italian. Në momentin që dikush analizon, kupton se si komunikon, evoluon ose frenon.
Shpresoj që Allegri të qëndrojë, ndryshe nga lojtarët e Juventusit që do të donin të largohej. Allegri kishte dy vite pa u përditësuar si trajner. Ai është mbrapa, por mund të dalë më keq se sezonin e kaluar, kur nuk fitoi asnjë trofe. Këtë sezon ka më pak pikë se katrahura sezonit të kaluar, në fillim. Duhet të më thoni një gjë pozitive për Juven, përveç Miretti.
A ka ndonjë lojtar që po ia del? A ka një frymë lufte? A ka një strategji? A ka një përmirësim të blerjeve të bëra? Unë dua të më thoni diçka. Disa vite më parë Allegri jepte leksione si të fitosh: Futbolli është shumë i thjeshtë dhe të bësh një fazë të mirë mbrojtëse është si të bësh një fazë të mirë sulmuese. Qëllimi përfundimtar është rezultati, shfaqja është në cirk. Duhet të fitojmë dhe të marrim tri pikët”.
Adani sulmon Allegrin duke u fokusuar në intervistën e dhënë për “Corriere della Sera” javën e kaluar: “Nëse duhet të heshtësh dhe të punosh, siç tha pas ndeshjes me Benfica, bëje atëherë. Del një intervistë dhe thua se duhet të heshtin dhe të punojnë, por para Monza thua se shpreson të fitojnë djemtë.
Juventusi është i dërrmuar. Më vjen shumë keq për një gjë: Mario Sconcerti, kolegu im në Sky, është një person që e respektoj. Ai i jep mundësinë dikujt që tha se duhet ta mbyllë gojën dhe të punojë, të flasë dhe të gjejë justifikime të kota”.