Futbollistët e Mançester United dhe stafi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi pas transfertës së tyre të Ligës së Evropës në Moldavi.
Skuadra e Erik ten Hagut udhëtoi drejt Kishinaut për të luajtur ndeshjen e javës së dytë të kompeticionit europian kundër Sherif Tiraspolit të enjten, ku fituan 2-0 falë golave të Sancho dhe Cristiano Ronaldos. Skuadra u kthye në Mançester më pas me një avion privat dhe “The Sun” ka zbuluar se shumë prej pjesëtareve të ekipit shfaqën probleme shëndetësore ditën e premte.
Deri në 12 pjesëtarë të klubit, futbollistë dhe staf, munguan në stërvitjen e ditës së premte, ndërsa disa të tjerë nuk ishin të pranishëm as ditën e shtunë.
United dyshoi menjëherë se shkaku ishte një helmim nga ushqimi, por nuk janë të sigurt nëse bëhet fjalë për atë që konsumuan në Moldavi ose në avion duke u kthyer.
“Djajtë e kuq” nuk luajtën gjatë fundjavës pasi ndeshja e tyre e së dielës kundër Lidsit në Premier Ligë, u shty për shkak të mungesës së forcave policore të angazhuara në ceremoninë e funeralit të mbretëreshës.
Nuk ka shumë informacione se sa problematike do të ishte situata me personat e helmuar nëse ndeshja do të ishte luajtur.
Disa prej lojtarëve që munguan në stërvitje ditën e premte u rikthyen të shtunën, por më pas situata e të gjithëve u përmirësua dhe ata mundën të nisen në grumbullimet me kombëtaret e tyre.