Franca zbriti në fushë mbrëmjen e së enjtes për përballjen ndaj Austrisë të vlefshme për Grupin 1 në Ligën A të Nations League. në shtëpinë e tyre, “Gjelat” bënë detyrën teksa fituan me rezultatin 2-0, por një shije të hidhur lanë dëmtimet e portierit Mike Maignon dhe mbrojtësit Jules Kounde.
Madje, për këtë të fundit ndjesitë nuk janë pozitive pasi nga të dhënat e dëmtimit flitet për një problem të bicepsit femoral në këmbën e majtë.
Kohën e rikuperimit do ta vendosë grada e dëmtimit me Kounde që pritet të rikthehet në Barcelonë për të vijuar me ekzaminime më të detajuara.
Sipas shtypit spanjoll, vetë lojtari ka informuar klubin katalanas se ka kaluar një natë mes dhimbjeve ndërsa shqetëson edhe historiku i dëmtimeve të Kounde me të tilla probleme nga koha e Sevillas.
Paraprikisht, pritet që 23-vjeçari të mungojë për katër javë ndërsa nëse konfirmohet koha e rikuperimit, atëherë Kounde do të mungonte në impenjime të rëndësishme të blaugranave si dy përballjet me Interin në Champions League apo edhe El Clasico me Real Madrid në kampionat.