Botërori i Katarit është “pas dere” teksa nga data 20 nëntor deri më datë 18 dhjetor vëmendja do të jetë e spostuar te kombëtaret që kërkojnë të mbërrijnë tek trofeu më prestigjioz.
Emocionet për lojtarët kanë nisur të ndihen për eventin madhor dhe përfaqësimin e vendit të tyre, megjithatë ndjesia është e ndryshme kur vjen puna tek Rodrigo De Paul, i cili ka një tjetër këndvështrim. Mesfushori i Atletico Madrid thekson se nuk do që të fillojë Botërori pasi e di shumë mirë se gjatë turneut nuk do të ketë mundësinë e argëtimit.
“Them gjithnjë që nuk dua të filloj Botërori sepse e di se nuk do të argëtohem gjatë turneut. Ka shumë konkurrencë, nervozizëm, ankth. Është shumë e vështirë të kontrollohet gjendja. Unë dua të shijoj procesin, por ndonjëherë është e vështirë për mua.
Me siguri do të jetë një çmenduri, duhet të jesh shumë i përqëndruar dhe ndonjëherë kritikat mund të jenë shumë të dëmshme.
Por, duhet të kërkosh gjithnjë të japsh maksimumin e kapacitetit tënd, mua më pëlqen atmosfera para ndeshjeve dhe stërvitjet pas tyre, por kur fillon kompeticioni është shumë e vështirë”, shprehet De Paul.