Trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur dy herë me shtypin para takimit sonte në mbrëmje në “La Romareda” kundër Spanjës
. Ai ka folur fillimisht në mënyrë private për televizionet helvete dhe më pas ka folur për të gjitha mediat e tjera.
Duke folur për takimin ndaj Spanjës, ai e ka bërë të qartë se do të jetë një përballje delikate dhe ai e di fare mirë se çfarë e pret.
Por ai ka saktësuar se Spanja e Luis Enrikes nuk do ta ketë të lehtë.
“Jemi të vetëdijshëm se çfarë takimi parashikohet për ne. Po kujtoj se në takimin e qershorit luajtëm mjaft mirë ndaj Spanjës, pavarësisht rezultatit. Na mungonin lojtarë të rëndësishëm dhe datat e qershorit nuk ishin aspak të favorshme.
Tani, tre muaj më pas, gjithçka është ndryshe dhe ne do të bëjmë gjithçka për të qëndruar në Grupin A në Ligën e Kombeve”, ka thënë ai. Murat Jakin ka saktësuar se nuk ka ndër mend të bëjë eksperimente në skuadër, duke u besuar më të mirëve.
“Do të luajë formacioni titullar. Kam provuar me dy sisteme loje, por kjo do të varet nga ecuria e takimit. ndeshja ndaj Spanjës duhet të shënojë një pikë kthese për ne. Do të japim gjithçka, do t’ia bëjmë ferr si në pjesën e dytë në Zvicër”, ka thënë Murat Yakin.