Në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, Erzeni do të përballet me Turbinën në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut, të hënën në orën 15:00.
Skuadra shijakase vijon stërvitjet në stadiumin “Tofik Jashari”, ndërsa të vetmit lojtarë që mungojnë janë të grumbulluarit nga Kombëtarja U-20, përkatësisht Ergi Goga dhe Argel Avdiu.
Në mungesë të tyre, stafi i Erzenit ka afruar nga ekipi i moshave disa të rinj, që konsiderohen premtues për të ardhmen:
Xhoele Tahiri, Luan Lleshi dhe Kristi Bespallov për t’u stërvitur me ekipin e parë.
Lojtarët janë të ditëlindjes 2005 dhe në rast se do të tregojnë vlera në këto ditë, mund të kenë shansin të grumbullohen nga trajneri Kapllani në ekipin e parë në ndeshjet e ardhshme.
Pritet që në këtë ndeshje trajneri Xhevahir Kapllani të aktivizojë lojtarët që nuk kanë pasur minuta në kampionat, por gjithsesi boshti kryesor i ekipit do të jetë prezent.
Mbetet për t’u parë si do të vendosen shijakasit të hënën në fushë, por mobilizimi duket të jetë maksimal, pasi kërkohet me patjetër kalimi i turit.
Nëse Erzeni eliminon Turbinën, atëherë në turin e dytë do të përballet me fituesin e çiftit Luzi 2008-Teuta, ku sërish ka shanse të mëdha të kualifikohet.