Berisha: Dardanët duhet të reformohen

Futboll

Berisha: Dardanët duhet të reformohen

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 15:09
Berisha: Dardanët duhet të reformohen

Kryetari i tifozëve Dardanët, Lulzim Berisha, tha se Dardanët duhet të reformohen.

Ai përmes një letre të gjatë ka sqaruar të gjitha.

“Pas këtyre dy ndeshjeve që u zhvilluan, pikë së pari më duhet t’i falënderoj sërish të gjithë tifozët. Vazhdojmë të jemi shembull tifozërie sa i përket kulturës së lartë që tregojmë. Falë kësaj mendësie që kemi instaluar, kemi bërë të mundur që kur zhvillohen ndeshjet e Kosovës, stadiumi të jetë vatër që mirëpret familje me gra, burra e fëmijë dhe assesi që dëshmon racizëm ndaj kundërshtarëve dhe sharje të pista.

Ne e kemi bërë të kundërtën e asaj çfarë është dëshmuar në mbi dy dekada në sportin vendor, ku tani stadiumet është vështirë të mbushen nga njerëzit me familje, sepse nuk e ndjejnë veten rehat nga sharjet me motra dhe të ngjashme.

Dardanët kanë shumë hapësirë për t’u përmirësuar, por rruga që jemi duke u përpjekur ta çojmë përpara nuk është e lehtë për mendësinë ballkanike dhe asaj të brendshme. Ne nuk nxitim tifozë që të vijnë ta shajnë kundërshtarin dhe ta largojnë mllefin nga problemet ditore që kanë. Mos e harroni këtë!

Asnjë dënim i pranuar, e ripotencojmë. Si Federata e Futbollit të Kosovës në krye me Fadil Vokrrin, si ajo me Agim Ademin, duhet të jenë falënderuese ndaj nesh për këtë nivel edukate që shfaqim. Shikoni vetëm ngjarjet që ndodhin në rajon dhe më gjerë, pastaj e kuptoni.

Dardanët duhet të reformohen, siç duhet të reformohet çdo organizatë. E përshëndesim si kryesi e Dardanëve gatishmërinë e dëshmuar nga anëtarët dje për të qenë afër lojtarëve, por jemi vetëkritikë se nuk kemi qenë gjithmonë ashtu siç kemi dëshiruar. Sabotuesit e Dardanëve, brenda llojit (anëtarët), nuk do të lejohen që të abuzojnë me djersën dhe mundin e atyre që për 48 orë qëndrojnë nga mëngjesi deri në mëngjesin e ditës së nesërme për t’u bërë gati për ndeshjet e Kosovës.

Jemi treguar më shumë bujarë sesa që duhet ndaj të gjithëve, përfshirë vetë disa anëtarë që janë regjistruar dhe pastaj nuk i ka parë askush se ku janë tretur. 

Dardanët do të përmirësohen, por gjithmonë duke ruajtur këto premisa, ku dikush që rezervon bileta nga shtëpia, do të ndihet i sigurt dhe rehat që të ulet edhe në afërsi të sektorit të Dardanëve, sepse do ta di që s’do të ketë hedhje të gjësendeve, e as kërcënim për sigurinë e askujt. 

Pra, jam krenar si Lulzim Berisha që kam arritur ta shtyj këtë mendësi të re. Për pjesët tjera, kemi mëkate e lëshime, por asnjëherë dashakeqëse. Jemi të interesuar ta ndërtojmë një tifogrup që është i prirë vetëm të jetë përkrahës i lojtarëve tanë. 

Ne i kemi pranuar humbjet e rënda. Lojtarët duhet të na jenë mirënjohës, gjithashtu. Nuk kemi lejuar nxitje që të shahen. Kemi mbyllur gojën, kemi heshtur, por nuk kemi sharë ndokënd – edhe nëse jemi turpëruar me rezultate.

Këtë duhet ta dinë trajnerët brenda stafit të Kosovës. Duhet ta dinë lojtarët. Nuk ndodh askund kjo. Nga vendet e emancipuara evropiane, deri te ato ballkanike. Askund!

Pra, nëse Dardanët dalin në aeroport, duhet të jenë të përulur lojtarët dhe të paktën t’i përshëndesin. 
Me pak fjalë, kjo është rruga që synojmë ta ndjekim. Kjo është rruga që ka bërë që edhe Dardanët jashtë vendit të ndihen të përfaqësuar me ne. Familje të tëra nga Britania e Madhe udhëtuan në Belfast për ta përkrahur Kosovën të shtunën, në emër të Dardanëve, sepse ata janë vetë Dardanë. Nga Londra, Edinburgu dhe kudo – gjithandej – duke i bashkërenduar hapat me ne në Prishtinë. Falënderim i veçantë shkon për Dardanët në Skoci që bëjnë të pamundurën që t’u qëndrojnë afër lojtarëve të Kosovës, edhe kur shtetasit e Kosovës brenda vendit nuk mund të udhëtojnë në vende të ndryshme evropiane, për shkak të pengesave me viza.

Rishkruhemi në grumbullimet e radhës, me risi të reja dhe organizim të brendshëm. Koha të falënderohen ata brenda dhe jashtë vendit që kontribuojnë dhe të mos u vazhdohet luksi i pajisjeve me bileta atyre që në emër të një kontributi për një ndeshje, eklipsohen ndaj Qipros, Gjibraltarit apo Jordanisë”, ka shkruar Berisha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat