Jan Oblak është një nga portierët më të mirë në qarkullim dhe te Atletico Madrid kërkojnë me çdo kusht të rinovojnë me sllovenin, kontrata e të cilit skadon në vitin 2023.
Në fakt, mediat spanjolle bëjnë të dituara se palët kanë gjetur gjuhën e marrëveshjes dhe Oblak do të qëndrojë në kryeqytet të paktën deri në vitin 2028, megjithatë ende nuk ka një njoftim zyrtar dhe në këtë formë, dy klubet e Premier League, Tottenham dhe Manchester United besojnë se mund ta transferojnë gardianin.
Londinezët kanë një armë të fortë si Antonio Conte, i cili di të jetë bindës për lojtarët që i kërkon në skuadër, por nga ana tjetër, “Djajtë e Kuq” joshin me historinë e tyre dhe me idenë e rikthimit në majat e futbollit europian.
Kujtojmë se në të kaluarën, Oblak e ka shprehur hapur pëlqimin e tij për kampionatin anglez duke e cilësuar si një nga më spektakolarët ndërsa mbetet për t’u parë tashmë nëse do të zgjedhë t’i bashkohet apo do t’i qëndrojë ende besnik Atletico Madrid.