E ardhmja e Naby Keitas është ende e paqartë.
Një marrëveshje për rinovim me Liverpoolin vazhdon të mungojë, teksa lojtari po kalon sezonin e fundit të kontratës.
Kësisoj, nuk përjashtohet mundësia që Keita të ndryshojë klub në afatin kalimtar të verës së ardhshme.
Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, për “CaughtOffside” tha se Borussia Dortmundi ka shprehur interesim për 27-vjeçarin.
Klubi gjerman thuhet se po kërkon të nënshkruajë me një mesfushor, pasi Jude Bellingham pritet të largohet nga “Signal Iduna Park” pas përfundimit të sezonit.
Ish-mesfushori i Leipzigut ka kontratë të vlefshme me Liverpoolin deri më 30 qershor 2023. Nëse nuk arrihet marrëveshja për rinovim, ai do të mbetet lojtar i lirë në verën e vitit të ardhshëm.
Gjithashtu, Keita mund të negociojë me klubet e interesuara që nga janari, kur mund edhe të arrijë marrëveshje me ndonjë klub të ri.