Korabi triumfon me rezultatin 2-1 ndaj Turbinës dhe ngjitet përkohësisht në krye të renditjes në Kategorinë e Parë, me 8 pikë, aq sa ka edhe Tërbuni i Pukës. Lala shënoi në pjesën e parë me Kokë për dibranët, ndërsa më pas në të 73-tën ishte ish-sulmuesi i Tiranës, Mario Beshiraj dyfishoi shifrat. Turbina rihapi takimin me Sotën në të 77-ën, por vetëm kaq, pasi u largua pa pikë nga transferta dibrane.
Gjen fitoren e parë sezonale edhe Skënderbeu, që triumfoi 1-2 me përmbysje në transfertën ndaj Luzit.
Vendasit shënuan me Ferrajn në pjesën e parë, por korçarët u përgjigjën me Sumailia e Pusin, për të marrë fitoren e parë pikërisht në javën e katërt të Kategorisë së Parë.
Derbi i Myzeqesë shkon për Apoloninë, që triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Lushnjës, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt, ndërsa Tërbuni u largua me tre pikë nga Lezha, falë fitores 2-3, duke shkuar në vendin e parë me Korabin, të dyja me nga 8 pikë.
Më herët Flamurtari mposhti pa problem 2-0 Besën e Kavajës, falë golave të Juri me penallti dhe De Oliveira, të dy në pjesën e parë. Kjo është fitorja e dytë radhazi për vlonjatët, që ngjiten në kuotën e 7 pikëve.