Frederik Veseli ishte një nga protagonistët e dy ndeshjeve që përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka luajtur në muajin shtator në Ligën e Kombeve. Mbrojtësi luajti në pjesën e dytë të duelit ndaj Izraelit dhe si titullar në sfidën ndaj Islandës më pas në “Air Albania”.
Por mbrojtësi ka qenë i pafat në ndeshjen e sotme në Serinë B ku luan tashmë me fanellën e Beneventos.
Ai ishte planifikuar si titullar nga trajneri Fabio Kanavaro dhe e nisi duelin si i tillë.
Por në minutën e 26, Gondo i ekipit kundërshtar shkaktoi faull ndaj tij dhe kjo bëri që Veseli të mbetej i dëmtuar. Ai tentoi të qëndronte në fushën e lojës por e kishte të pamundur dhe kërkoi ndërrim, duke lënë fushën pa u mbushur 30 minuta.
Një moment i pafat për mbrojtësin i cili mendohej se do të bëhej një nga shtyllat e prapavijës së Beneventos në këtë edicion, nën drejtimin e një emri shumë të njohur si Fabio Kanavaro i cili ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë të dekadave të fundit në botë.