Skuadra shqiptare nga Tuzi, Deçiqi, ka aspirata të mëdha, synon titullin e kampionit dhe Kupën e Malit të Zi.
Drejtuesit klubit të futbollit Deçiqi po e realizojnë projektin e madh, projekt që do të lakmojnë edhe shtetet e rajonit.
Sot u vu gurethemeli i tribunave te reja ne stadiumin e qytetit në Tuz, ku mori pjesë edhe legjenda e futbollit malazez, Dejan Saviçeviq, kryetar i Federatës së Futbollit të Malit të Zi.

Kështu do të duket stadiumi më tribuna
“Me vendosjen e gurethemelit te tribunave te reja ne stadiumin e qytetit filloi realizimi i ëndrrave të shume gjeneratave dhe tifozëve të KF Deçiqi nga Tuzi.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi z. Dejan Saviçeviq, Kryetari i Komunës se Tuzit z. Nik Gjeloshaj, Presidenti i KF Deçiqi z. Pal Dreshaj, zyrtarë të Federatës së futbollit, zyrtare të Komunës së Tuzit, menaxhmenti i KF Deçiqi si dhe shume dashamirë dhe përkrahës të klubit.

Me ndërtimin e objektit modern i cili në përmbajtjen e vet do të ketë të gjitha hapësirat me bashkëkohore që i nevojitet funksionimit të një klubi dukshëm do të përmirësohen kushtet për avancimin dhe ngritjen e klubit tonë.
Nisja e punimeve në objekt paraqet fillimin e realizimit të një prej disa qëllimeve të përcaktuara me planin zhvillimorë të klubit.

Të përkujtojmë se disa objektiva veç janë realizuar siç janë vendosja e prozhektorëve në fushën qendrore dhe në atë ndihmese, themelimi i Akademisë së futbollit dhe pjesëmarrja e klubit dy vite me radhë në UEFA Conference League.

Paralel me ndërtimin e objektit jemi duke punuar në realizimin e objektivave tjera: vendosja e tapetit të ri me bashkëkohore në fushën qendrore, ndërtimi i kampit për trajning si dhe ngritja e përformancave të skuadrës në garën për titull të kampionit të Malit të Zi.

Me përfundimin e këtyre punimeve KF Deçiqi do të jetë një faktor i fuqishëm jo veç në Mal të Zi por edhe më gjerë.
Një falënderim i veçantë për Federatën e Futbollit të Malit të Zi e cili siguroi mjetet për realizim të projektit si dhe Komunën e Tuzit për mbështetje të fuqishme”, njofton KF Deçiqi.