Stiven Shpendi është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serinë C italiane. Sulmuesi shqiptar, i cili ishte edhe i grumbulluar me ekipin U-21 në muajin shtator, po vazhdon të shkëlqejë me Çezenën.
Pasi u shpall golashënuesi më i mirë i Primaverave të Çezenës, ku shënoi 25 gola, ai kaloi në ekipin e parë që merr pjesë në Serinë C.
Në pesë ndeshje të luajtura deri tani, Shpendi ka shënuar 2 gola, teksa në fundjavë ishte protagonist i një goli me penallti që hapi sfidën, ndërkohë që në vazhdim ai ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë.
Kjo paraqitje e ka nxjerrë 19-vjeçarin shqiptar në formacionin më të mirë. Pjesë e Çezenës është edhe vëllai binjak i tij, Kristjani, që nuk luajti në këtë sfidë.