Kombëtarja angleze zhvilloi një edicion negativ në Nations League. “Tre Luanët” nuk siguruan asnjë fitore përballë Italisë, Gjermanisë dhe Hungarisë, duke e mbyllur grupin në vend të fundit dhe duke zbritur në Ligën B.
Gareth Southgate është përballur me kritika, por në mbrojtje të trajnerit ka dalë Robbie Williams. Këngëtari i njohur anglez, i cili është një tifoz i zjarrtë i Kombëtares, beson se Anglia nën drejtimin e Southgate mund të arrijë në finalen e Kupës së Botës Katar 2022.
Nënkampionët e Europës janë pjesë e grupit B bashkë me Uellsin, SHBA dhe Iranin. Në një prononcim për talkSPORT, Williams u shpreh: “Southgate duhet të vazhdojë të jetë trajner i Anglisë, pasi me të skuadra ka arritur rezultatet më të mira në vitet e fundit.
Shikoni si luan Anglia në turnetë e mëdha, por skuadra duhet të jetë e kujdesshme. Ne nuk kemi teknikën e Brazilit, prandaj duhet të luajmë gjithmonë me kujdes të madh siç bën Southgate.
Jam i sigurt se do të arrijmë në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, ndoshta mund të dalim edhe në finale dhe ta fitojmë trofeun, unë kam shumë besim tek ekipi kombëtar”, deklaroi Williams.