Pas duelit të barazuar me Reims, të dielën në kampionat, Lionel Mesi do të mungojë edhe në ndeshjen ndaj Benfikës.
PSG-ja kërkon që të mbyllë sa më shpejt çështjen e kualifikimit në Champions, por në duelin e luajtur në Lisbonë një javë më parë, “Shqiponjat” treguan se janë një kockë shumë e fortë dhe se nuk iu trembën aspak trios Mbape-Nejmar-Messi.
Prandaj, pa argjentinasin mbrëmjen e sotme, misioni bëhet mjaft delikat, siç pranon edhe vetë trajneri i parisienëve, Kristof Galtier.
“Leo doli me probleme që në ndeshjen e kaluar me Benfikën. Ka një shqetësim në pulpë që e përndjek, por ndonëse ai kërkonte që të ishte me ne në fushë, nuk ka asnjë mundësi që të rrezikojmë një përkeqësim të situatës.
Sigurisht që nga java e kaluar dëmtimi nuk tremb më aq shumë, por në këtë pikë të sezonit dhe me këtë kalendar të ngjeshur, nuk dua që të bëjmë lojëra të kota. Sigurisht që rëndësia e tij, në një ndeshje kaq jetike për fatet e grupit dihet, por duhet të mësohemi dhe jemi gati që të bëjmë mirë edhe pa Leon”.
Ndërkohë, edhe sulmuesit e tjerë nuk janë shfaqur shumë mirë së fundmi, me Mbapenë që u bë protagonist i një sherri masiv në fushë me Reimsin pas një faulli të rëndë, ndërsa edhe Nejmar vuan nga një shqetësim.
“Me Mbapenë kam folur dhe do të vazhdoj të flas që në fillim.
Ka disa momente që duhet t’u shmanget presioneve të jashtme, edhe pse me Reimsin gjatë të gjithë lojës i luajtën ashpër dhe u nervozua.
Por ai thjesht duhet të qëndrojë i qetë dhe kaq. Edhe Nejmari vuan nga një lodhje muskulore, por me Benfikën do të jetë, pasi është shumë i rëndësishëm dhe sivjet është në një formë fenomenale”, deklaroi Galtier.