Ndeshjet e sotme të Grupit B të Kupës së Shqipërisë kanë dekretuar kalimin nw turin tjetër të skuadrave të Laçit dhe Teutës.
Laçi ka “shkërmoqur” me rezultatin 5-0 ekipin e Devollit, duke kaluar për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë.
Për kurbinasit ka shënuar Prengaj në minutën e 23′, më pas goli i dytë u realizua nga Babatunde në minutën e 36′ dhe pas dy minutash, ekzaktësisht në të 38′ ishte Geci ai që shënoi të tretin për Laçin.
Serinë e golave e vazhdoi sërish Geci në minutën e 66′ dhe Babatunde e vulosi takimin me shifrat 5-0 në minutën e 71′. Laçi do të gjejë në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë fituesin e çiftit Tomori-Burreli.
Ndërkohë, durrsakët e kanë pasur pak më të vështirë në rrugëtimin e tyre, pasi kishin barazuar 0-0 sfidën e parë me Luzin.
Edhe në ndeshjen e dytë ata kanë shfaqur vështirësi për të gjetur golin, i cili ka ardhur vetëm në fillimin e pjesës së dytë nga Karabeci. Në fund të ndeshjes, penalltia e Hebajt ka çuar në 2-0 shifrat dhe ka qetësuar Shkëmbin i cili sheh ekipin e tij të vazhdojë më tej në turne.