Trajneri i Ballkanit: Kam djem me karakter, të luftojmë edhe më fort

Futboll

Trajneri i Ballkanit: Kam djem me karakter, të luftojmë edhe më fort

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 15:40
Daja

Ballkani është gati për duelin e radhës ndaj Sivassporit në Conference League. Kampionët e Kosovës arritën një sukses historik dhe drithërues 3-4 në Turqi, i pari për ta në fazën e grupeve në kompeticionit europiane.

Në Suharekë kanë nisur të ëndërrojnë kualifikimin, por më parë duhet arritur një tjetër fitore ndaj skuadrës turke. Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja preku disa tema në konferencën për shtypin përpara duelit të së enjtes në “Fadil Vokrri”, përballje që do transmetohet në SuperSport 2 (21:00).

“Mendoj se sa më larg të shkojmë aq më të vështira bëhen gjërat. Do të mbështetemi te tifozët dhe mendoj se do të bëhet pak më e lehtë nga mbështetja e tyre. Stadiumi do të jetë plot, që do të thotë se përgjegjësia do të jetë më e madhe.

Nuk ka ndeshje të lehtë, të katërta ekipet renditen me nga katër pikë. Jemi gati, por nesër duhet të bëjmë akoma më shumë se sa bëmë një javë përpara.

Kapiteni Kuç nuk do të jetë i gatshëm, ka disa ditë që ka filluar vrapimet, por nuk ka bërë stërvitje me grupin. Ai do të jetë në pankinë, edhe pse nuk do të luajë me 99%. Rikthimi i Astrit Thaqit është një bonus për ne, por kemi të dëmtuar edhe Veton Tushën për nesër.

Duhet të vazhdojmë të jemi cinikë dhe të bëjmë atë që kemi bërë deri tani. Nuk mund të ndryshojmë shumë, pasi nuk është se i përgatitim shumë këto ndeshje, sepse kemi pak ditë në dispozicion. Nëse do kishim më shumë kohë në dispozicion, mund të kishim edhe 2-3 strategji të tjera.

Ndeshjet vështirësohen, por po fitojmë eksperiencë edhe ne. Do jetë më e vështirë se ajo në Turqi, pasi edhe ata kërkojnë revanshin ndaj nesh. Të tre ekipet kanë më shumë eksperiencë se ne, por nuk druhemi, thjesht bëhemi më të fortë me kalimin e ndeshjeve.

Duhet të luajmë akoma më fort në fushën tonë. Nëse nuk luajmë në grup, kualitetet e Sivassporit mund të na dëmtojnë në çdo moment.

Pritshmëria ndaj nesh është rritur duke llogaritur ndeshjet që kemi bërë. Por e ritheksoj: ne kemi bërë mirë edhe në aspektin e lojës, sidomos me Sivassporin dhe Cluj. Duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, por të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Kundërshtarët kanë buxhete më të mëdha se ne, ata kanë individë të rrezikshëm në përbërje. Të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë detajet e ndeshjes.

Ballkani ka djem me personalitet dhe futbollistë me karakter. Kemi frymë grupi, të gjithë luftojnë në të dy fazat e lojës. Këto gjëra kanë ndikuar që Ballkani të jetë i barabartë në lojë dhe golavarazh edhe me ekipe që kanë më shumë buxhet dhe eksperiencë se sa ne.

Sukses me produkt shqiptar? Mos më ngatërroni me Kombëtaren, pasi ne si trajnerë duhet ta mbrojmë institucionin e trajnerit. Duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të vazhdojmë me paraqitje siç kemi bërë deri tani. Niveli i kampionatit të Kosovës është ngritur, sot ishim miq të Presidentes së Republikës. Presidentja na foli edhe për ndërtimin e stadiumeve.

Si njerëz të sportit kemi kërkuar që të zhvillohet infrastruktura dhe akademitë e klubeve. Të jenë primare edhe për shtetin, pasi më shumë fusha do të thotë më shumë talente dhe rritje e nivelit të kampionatit. Kështu mund të shtohet numri i lojtarëve që do të jenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës”, deklaroi Ilir Daja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat