Cristiano Ronaldo vuajti shumë në fillimin e këtij sezoni. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, nuk e zhvilloi fazën përgatitore me shokët e skuadrës së Manchester United, por goli i realizuar në fundjavë përballë Evertonit e ka çliruar.
37-vjeçari numëron dy gola në total mes Premier dhe Europa League në dhjetë ndeshje, nga të cilat vetëm tre i ka nisur si titullar. Erik ten Hag është ndalur te CR7 në prononcimin e fundit, ku ndër të tjera deklaroi:
“Dua të nxjerr më të mirën nga Cristiano Ronaldo, unë jam këtu për ta ndihmuar atë.
Ai nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike në fillim të sezonit, gjë që tregon se sa e rëndësishme është faza përgatitore.
Cristiano po e merr veten, me kalimin e kohës është gjithmonë e mirë dhe një gjë e tillë më bën shumë të lumtur”, deklaroi trajneri holandez i Manchester United, ekip që e ka marrë veten pas nisjes negative të sezonit dhe sot renditet në vendin e pestë në kampionat.