Gabimi para Ter Shtegen i Kristjan Asllanit ka bërë që pa dashje, mesfushori shqiptar i Interit të kthehet në emrin më të lakuar pas sfidës ndaj Barcelonës në “Camp Nou”.
Futbollisti mund të bëhej hero, por përfundoi duke u kritikuar pas duelit e duke u kthyer në personazhin kryesor në rrjetet sociale.
Megjithatë, shokët e tij të skuadrës në fushën e lojës e kuptuan menjëherë se duhej të mbështetnin publikisht lojtarin dhe kështu D’Ambrosio,
Xheko e Lautaro Marinez shkuan pas sfidës menjëherë të ngushëllonin lojtarin i cili dukej i dëshpëruar për mundësinë që kishte humbur.
Një sinjal i qartë i lojtarëve zikaltër se Asllani kishte nevojë për mbështetje e kjo ka bërë që edhe në mediat italiane të ndryshojnë qëndrim për futbollistin të cilin fillimisht e kishin masakruar me vlerësimet e tyre.
“Inter, tani rreziku i vetëm është psikodrama. Por askush të mos e prekë Asllanin”, shkruante “Tuttomercatoweb”, duke i kushtuar rëndësi faktit se si Interi kishte në duart e tij një talent dhe klubi duhej të bënte maksimumin që të mos ndjente peshën e gabimit pasi kishte shumë vite para për ta korrigjuar e për të hyrë në histori.