Reali i Madridit ka vënë një tjetër gur themeli në këtë sezon, ku siç ka deklaruar Ançeloti do të kërkojë të fitojë të gjashtë trofetë e mundshëm. Kampionët e Spanjë dhe të Europës kanë siguruar kualifikimin për në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve dhe tani mund të jenë të qetë të vënë theksin te La Liga, deri në ndalimin e saj për t’i lënë vend kampionatit botëror në Katar.
Por në Madrid jo gjithçka duket rozë sikurse tregojnë rezultatet: i kualifikuar në Champions dhe bashkëkryesues në La Liga me Barcelonën. Në javën më të rëndësishme, që i paraprin “Klasikes” kundër Barcelonës, ndodhet dhe pak shqetësim. Ai vjen nga kapiteni Karim Benzema.
Sulmuesi francez dhe me shumë gjasa fituesi i ardhshëm i “Topit të Artë” (çmimi jepet të hënën më 17 tetor, një ditë pas “Klasikes”), po kalon periudhën e tij më delikate në Madrid që nga viti 2020. Disa dëmtime të vogla në këtë nisje të sezonit e kanë penguar atë të jetë në formën e vet më të mirë. Dhe në prag të “Klasikes”, ankthi dhe shqetësimi është rritur mes tifozëve të Madridit.
Lojtari i tyre më i mirë dhe më i rëndësishëm nuk është në top formë. Benzema nuk shënon dhe nuk jep asnjë asist prej 5 takimesh radhazi mes kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve.
Për të gjetur të tilla shifra alarmante për të do të duhet të kthehemi 948 ditë më pas. Ishte shkurti 2020 kur numri nëntë i Realit shënonte të tilla rekorde negative.
Trajneri Ançeloti është shfaqur i qetë, i pashqetësuar nga stanjacioni i sulmuesit të vet. Italiani beson se Benzema do të kthehet ai i zakonshmi dhe fundjava do të jetë vitrina më e mirë për ta bërë. Në “Bernabeu” vjen Barcelona, ajo që në sezonin e kaluar i shënonte 4 gola në këtë stadium. Atëherë mungonte Benzema. Këtë herë do të jetë, por në Madrid shpresojnë në formë.