Interi e ka gjetur sërish veten dhe tani prek kualifikimin për në fazën eliminatore të Champions League pas barazimit të çmuar 3-3 në shtëpinë e Barcelona-s, që ka shijen e fitores për djemtë e Inzaghit.
Trajneri i zikaltërbe shpreson edhe te një dhuratë nga klubi, pikërisht qëndrimin e Milan Skriniar në Appiano Gentile. Negociatat për rinovimin e kontratës së sllovakut nuk janë të lehta, por të ardhurat që vijnë nga kalimi i mundshëm në turin e dytë të Champions League (që do të sillnin rreth 10 milionë euro në arkat e klubit) mund të ndihmojnë Inter-in të rrisë ofertën për lojtarin.
Marotta dhe Ausilio janë gati të ofrojnë rreth 6.5 milionë euro: një pagë e lartë, si emrat e tjerë të mëdhenj të zikaltërve si Lautaro Martinez dhe Brozovic.
Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, për momentin dhe duke pasur parasysh shenjat e fundit, nuk ka besim maksimal për rinovimin e kontratës së Skriniar.
Javën e ardhshme, pas ndeshjes së kampionatit ndaj Salernitana-s, pritet të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e mbrojtësit për të kuptuar sa mundësi ka për arritjen e marrëveshjes.
Asgjë nuk përjashtohet: Skriniar mund të rinovojë, si dhe të largohet nga Milano me kosto zero verën e ardhshme. Dhe të ardhurat e Champions-it – si për kualifikimin në raundin e 1/8-ave, ashtu edhe nga shitja e biletave – mund t’i japin Inter-it më shumë forcë për të refuzuar ofertat që sigurisht do të mbërrijnë për sllovakun në janar.
Për më tepër, nuk duhet të përjashtohet që në propozimin e rinovimit të sugjerohet edhe përfshirja e një klauzole në kontratë. Inzaghi, Marotta dhe Inter nuk dorëzohen: presingu ndaj Skriniar ka filluar, javë vendimtare për fatin e yllit të zikaltërve.