Real Madrid - Barcelona, sfidë e zjarrtë

Futboll

Real Madrid - Barcelona, sfidë e zjarrtë

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 11:08
Benzema e Lewandowski

“Klasikja” e futbollit spanjoll nuk është më vetëm me një “yll”.

Ajo nuk është më jetime, që në momentin kur Robert Levandovski nënshkroi për katalanasit pak muaj më parë. Të dy janë veteranë tashmë, por duket se po përjetojnë një rini të pashtershme falë punës së tyre kolosale. Pas muajsh pritje, nesër pasdite (16:15) ata do të jenë për herë të parë përballë njëri-tjetrit në “Klasike”.

“Kjo është një Madrid-Barça dhe jo një ndeshje Levandovski-Benzema. Ka shumë gjasa që ‘Topin e Artë’ ta fitojë Benzema… në të kundërt le ta anulojnë përgjithnjë”.

Këto janë fjalët e Robert Levandovskit vetëm një ditë më parë kur ka folur për “Klasiken” dhe për rivalin e tij francez. Por, ndonëse në fushë do të jenë dy gjigantët spanjollë, thellë-thellë, kjo ndeshje është dhe një përballje mes tij dhe Benzemasë. Polaku e dëshiron me çdo kusht dhe “Topin e Artë”, të cilin pritet ta fitojë Benzema të hënën në mbrëmje në Paris.

Për të bërë realitet fitimin e këtij trofeu, Levandovski la Bajernin për Barcelonën, me idenë e bërë publike se “Me Barçën rruga drejt Topit të Artë është më e shkurtër se me Bajernin”! Tani që është te Barça duhet të fitojë përballë Realit dhe Benzemasë nëse dëshiron që dhe ai të ketë emrin në librin qartë të fituesve.

Fitoi në verë “Klasiken” miqësore në Las Vegas, por tani nuk ka shaka, tani luhet për pikë e për titull. Të dy lojtarët vijnë në gjendje të ndryshme në duelin e parë zyrtar mes tyre në La Liga.

LEVANDOVSKI – Polaku ka qenë një garanci për Barçën në këtë fillim sezoni. Përjashto takimet në Mynih dhe në Milano, të dyja në Champions, ai ka qenë një vlerë e shtuar për katalanasit, me shifrat që thonë 14 gola në 12 takime.

Të dielën do të përballet për herë të nëntë ndaj Realit, teksa ka një bilanc 3 fitore, po kaq humbje dhe 2 barazime. Nga këto 8 duele, 5 kanë qenë me Dortmundin, ku arriti t’i shënonte një “poker” në sezonin 2012-2013.

BENZEMA – Levandovski nuk do ta ketë të lehtë përballë Benzemasë, me francezin që mbërriti në pikun e karrierës së tij pasi i kishte lënë të 30-at. Sezoni i kaluar ishte më i miri në karrierën e tij, veçanërisht për impaktin në Ligën e Kampioneve. Benzema thuhej se ishte një mesfushor i maskuar si qendërsulmues, por ai në fakt është një sulmues universal.

Ai është gjithashtu një klasik i klasikëve. Ai ka luajtur 41 “Klasike” me një bilanc: 13 fitore, 10 barazime dhe 18 humbje dhe 11 gola të shënuar. Nuk vjen në momentin e tij më të mirë, por deri të dielën nuk i dihet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat