Luis Suarez ia del të fitojë një tjetër trofe në karrierë. Sulmuesi uruguaian u rikthye në korrik në vendlindje te Nacional, ekipi i tij i zemrës, duke plotësuar dëshirën e mijëra tifozëve uruguaianë por edhe atë të familjes së tij.
Nacional triumfoi 1-2 në transfertë ndaj Cerritos, sukses që solli fitimin e turneut Clausura (renditja e pikëve vjetore). Skuadra e Luis Suarez do të sfidojë Liverpoolin (fituesi i turneut Apertura) në gjysmëfinalen e titullit kampion.
Nacionali numëron 31 pikë, katër më shumë se River Plate dhe Maldonado. Në rast të një triumfi ndaj Liverpoolit, Suarez dhe shokët e tij nuk do të kenë më nevojë për duelin final, dhe do të nisnin menjëherë festën e titullit numër 49 në histori.
Gëzim i madh për “El Pistoleron”, i cili gjeti pesë herë rrugën e rrjetës gjatë aventurës së dytë me Nacionalin e tij, ekip të cilin shpreson ta udhëheqë drejt titullit të radhës për të vijuar pastaj qetësisht përgatitjet për pjesëmarrjen në Katar 2022 me Uruguain.