Flamengo arriti një fitore drithëruese përballë Corinthians në mitikun “Maracana”, aty ku fitoi Kupën e Brazilit për herë të katërt në histori. Sfida e parë kishte përfunduar në barazim pa gola, teksa dueli i kthimit u mbyll 1-1.
Pedro kaloi Flamengon në avantazh në minutën e shtatë pas një asisti të bukur nga kapiteni Everton Ribeiro, por ekipi mik riktheu baraspeshën tetë minuta përpara fundit nëpërmjet golit të Giulianos së ardhur nga stoli.
Më pas penalltitë: Filipe Luiz humbi të parën për Flamengon, por edhe Corinthians dështoi dy herë nga pika e bardhë (Fagner, Mateus Vital) dhe në stadiumin e famshëm nisi festa e lojtarëve dhe tifozëve të Flamengos, që më 29 tetor do të shijojnë një tjetër finale të gjithë braziliane.
Ekipi ku luajnë emra si Gabriel Barbosa, David Luiz, Arturo Vidal , Filipe Luiz, De Arrascaeta, Everton Ribeiro apo edhe “veterani” Diego, do të sfidojë Athletico PR e drejtuar nga Luiz Felipe Scolari në finalen e Libertadores, që do të zhvillohet në Guayaquil të Ekuadorit.