Kristjan Asllani realizoi ëndrrën e tij të fëmijërisë për të luajtur një ditë me Interin, ekip për të cilin bën tifo që kur ishte fëmijë. Mesfushori shqiptar u transferua në merkaton e verës nga Empoli tek Interi, por aventura te nënkampionët e Italisë nuk po shkon siç duhet.
20-vjeçari ka përfutuar vetëm 180 minuta aktivizim mes kampionatit dhe Championsit, teksa as dëmtimi i Marcelo Brozovic nuk ka mjaftuar që të aktivizohet si titullar, me trajnerin Inzaghi që preferon të luajë me treshen Barella-Mkhitaryan-Calhanoglu në mesin e fushës.
TMW shkruan se Asllani nuk është i kënaqur me minutat e pakta tek Interi dhe në merkaton e dimrit pritet t’i kërkojë drejtuesve largimin nga Milano zikaltër.
Lojtari i kombëtares shqiptare kërkon një ekip ku mund të luajë rregullisht, por duhet parë edhe qëndrimi i klubit italian, që e cilëson Asllanin një investim të rëndësishëm për të ardhmen.