Monza po kalon një periudhë shumë të mirë. Ekipi italian po shijon sezonin e parë në histori në Serie A, teksa në tri ndeshjet e fundit është arritur maksimumi i pikëve. Të mërkurën erdhi edhe kualifikimi në Kupën e Italisë ndaj Udineses pas suksesit 2-3 në Friuli.
Duelet vështirësohen dhe të shtunën është radha e sfidës ndaj Milanit në “San Siro”. Një ndeshje e veçantë për dyshen Silvio Berlusconi-Adriano Galliani, të cilët do të provojnë emocione të forta përballë ish-ekipit të zemrës, të cilën e udhëhoqën për vite me radhë drejt sukseseve të paharrueshme.
Galliani nuk e kursen batutën në lidhje me Milan-Monza, teksa thekson se është përgatitur për emocionet që do të provojë në stadiumin mitik të Milanos. “Po flisja dje me Maldinin, do e kem të vështirë të gjej dhomën e duhur të zhveshjes të shtunën.
Për momentin po bëj joga mentale, pasi do i kem kamerat për 90 minuta të fokusuara te vetja. Kam disa ditë që punoj për të qenë i ftohtë dhe imun ndaj çdo emocioni, ose të paktën do të përpiqem. Do e lëshoj veten pas kësaj ndeshjeje, nuk mund të jem i tillë në Milan-Monza.
Objektivat? Rëndësi ka të mos e mbyllim sezonin mes tri skuadrave të fundit. Monza po luan sezonin e parë në Serie A, kjo është një ëndërr e realizuar për të gjithë ne”, deklaroi drejtuesi legjendar italian, i cili në fundjavë do e ketë zemrën të ndarë mes Milanin dhe Monzë".