Belgjika dhuratë një natë të zjarrtë lojtarëve

Futboll

Belgjika dhuratë një natë të zjarrtë lojtarëve

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 22:50
Belgjika dhuratë një natë të zjarrtë lojtarëve

Yjet e kombëtares së Belgjikës kanë marrë një lajm të mirë përpara nisjes së Botërorit, ndërsa grave të tyre do t’u lejohet që t’i vizitojnë të dashurit e tyre në Katar në mes të turneut.

“Djajtë e kuq” po përgatiten për t’u izoluar në hotelin e tyre në turneun që nis në datën 20 të muajit të ardhshëm, por Federata Belge e Futbollit i ka lejuar partneret dhe familjet e tyre që t’i vizitojnë për një natë pas ndeshjes së tyre të dytë në Grupin F, kundër Marokut më 27 nëntor. De Bryjne me shokë do të kenë disa ditë kohë për të rikuperuar energjitë dhe përgatiten për ndeshjen e fundit në grup, atë kundër Kroacisë më 1 dhjetor.

Trajneri, Roberto Martinez, ka dhënë miratimin e tij për planin, ndryshe nga ish-tekniku, Mark Vilmots, i cili ishte partizan i mbajtjes së grave larg futbollistëve të tij për të mos i shpërqendruar gjatë turneut. Roberto Martinez do të shpallë listën me 26 emrat që do të grumbullojë në Katar në datën 11 nëntor. Nga ftesa e familjeve pritet të përfitojë ylli i Mançester Sitit, Kevin de Bryjne, ai i Brajtonit, Leandro Trosard dhe kuarteti i lojtarëve të Lestërit, Juri Tilemans, Faes, Timoti Kastanj dhe Denis Prae.

Por një lajm i tillë do të ngrejë edhe moralin e kapitenit Eden Hazard, portierit Tibo Kurtua, Miçi Batshuajit, Simon Minjolesë dhe Tobi Aldervaireldit, të cilët e kanë mirëpritur vendimin e Federatës Belge për të lejuar takimin me familjarët. Kombëtarja belge do të vendoset në hotelin luksoz “Hilton Salwa Beach Resort” në Gjirin Persik. Por gratë dhe të dashurat e futbollistëve do t’i paguajnë personalisht shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit. Federata Belge ka refuzuar të paguajë një çarter dhe mendon se detyra e tyre përfundon vetëm me autorizimin e lejes për t’u takuar me futbollistët.

Por jo të gjitha nga 32 kombëtaret finaliste që do të luajnë në turneun e Kupës së Botës nga data 20 nëntor deri në 18 dhjetor do të kenë të njëjtin fat me kolegët e tyre belgë. Federata Daneze për shembull vendosi në fillim të këtij muaji që t’i izolojë futbollistët nga familjarët e tyre gjatë turneut.

Kombëtarja e Anglisë është nga ato që ka një qasje më tolerante në lidhje me këtë temë. Gratë dhe familjarët e “Tre Luanëve” të Garet Sauthgejtit do të lejohen që të udhëtojnë drejt Katarit. Por ato do të qëndrojë në një anije luksoze 1 miliard euroshe, e cila do të ankorohet në portin e Dohas.

“The Sun” zbuloi edhe fotot e anijes luksoze, e cila përfshin 6 pishina, 14 xhakuzi me pamje nga deti, pista makinash, sallone, butikë, restorante, bare dhe rrëshqitësen më të gjatë në det. Garet Sauthgejt nuk e ka ndalur takimin e lojtarëve të tij me familjarët pavarësisht frikës prej COVID-it.

Trajneri i Anglisë është në kontakt të ngushtë me lojtarët kryesorë për të marrë vendimin më të mirë për skuadrën.

“Ajo që duhet diskutuar është se deri në çfarë pike ne duam të rrezikojmë? Sepse nëse ti humbet një apo dy lojtarë, për ta mund të jetë i vetmi shans që do të kenë për të luajtur në Botëror. Unë jam i sigurt se familjet e tyre do ta kuptojnë këtë gjithashtu”, tha trajneri. Federata Angleze e Futbollit ka bërë edhe një manual për t’iu treguar grave dhe të dashurave të tyre sesi duhet të vishen në Katar. Ato duhet të shmangin zbulimet e ekzagjeruara të trupit, ndërsa vendosja e tyre në një anije ku ato do të jenë të izoluara nga ambientet që i prek ligji, është zgjedhja më e mirë për të mos pasur probleme në vendin mysliman.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat