Trepça ’89 dhe Gjilani kanë ndarë pikët në përballjen interesante në “Riza Lushta”.
Ndeshja e xhiros së 13-të në Albi Mall Superligë, u mbyll me barazim 1-1, shkruan Gazeta Olle. Gjilanasit në këtë ndeshje janë drejtuar nga ndihmëstrajneri, Alban Hyseni.
Ai pas ndeshjes ka treguar arsyen e mungesës së Zekirija Ramadanit.
“Trajneri nuk ka qenë edhe në stërvitje dje, pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo është arsyeja e vetme që ai ka munguar. Pavarësisht gjendjes së keqe, ai nuk ka munguar në asnjë stërvitje, por mungesa e tij është gjendja shëndetësore”, ka thënë Hyseni.
Hyseni gjithashtu njoftoi se gjendja e Përparim Islamit pas lëndimit në fillim të ndeshjes, është stabile.
“Ka një lëndim, por gjendja e tij është stabile. Kjo informatë më erdhi menjëherë pas përfundimit të ndeshjes”, ka thënë Hyseni.
Sa i përket ndeshjes ndaj ’89-shit, Hyseni tha se përparësinë e një lojtari më shumë në fushë e shfrytëzuan vetëm në pjesën e parë.
“Që në fillim të takimit ishim me një lojtar më shumë në fushë dhe këtë mundësi e shfrytëzuam vetëm në pjesën e parë. Në pjesën e dytë tentuam të shënojmë, por pësuam gol nga një kundërsulm”, është shprehur Hyseni.