Kombëtarja e Shqipërisë ka udhëtuar dje drejt Abu Dabit, ku edhe do ta zhvillojë miqësoren me Arabinë Saudite, ndërsa ka mbërritur dhe është akomoduar në hotel.
Me grupin në Abu Dabi janë bashkangjitur edhe pesë lojtarë të tjerë të cilët ishin të zënë me klubet e tyre, respektivisht, Ardit Toli, Mario Mitaj, Bekim Balaj, Elhan Kastrati dhe Gentian Selmani.
Ndërkaq, sot nga ora 18:00, grupi i mbledhur nga trajneri Edoardo Reja ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Al Nahyan”.
Reja kishte mundësi që të provojë formacione dhe taktika të ndryshme në fushë, ndërsa grupi i lojtarëve është i plotë dhe pa probleme fizike.
“Kuqezinjtë” e nisën grumbullimin të shtunën e kaluar në Durrës, kurse lojtarët e ftuar për miqësoren me Arabinë Sauditë vijnë nga kampionati shqiptar, ndërsa vetëm një pjesë e vogël nga kampionatet e huaja.
Shqipëria e zhvillon miqësoren me Arabinë Saudite nesër me fillim nga ora 18:30 sipas orës lokale, ose 16:30 sipas orës shqiptare.