Të mërkurën Shkëndija e Tetovës u kthehet obligimeve në Kampionatin e Maqedonisë së Veriut në transfertën me Skopjen, kur nis faza e dytë e kampionatit.
"Njëmbëdhjetë ditë pas fitores impresive 4:2 në fushë të Rabotniçkit ku triumfin e siguruam me dy lojtarë më pak, Shkëndija do të zhvillojë sfidën e rradhës kampionale. Të mërkurën ndeshemi me Skopjen në Shkup në kuadër të xhiros së 12-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, kur praktikisht fillon faza e dytë e kampionatit, nga gjithsej tre rrethe të parapara.
Fundjava nuk solli futboll elitar në vendin tonë shkaku i ndeshjes miqësore të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut me Arabinë Saudite në Abu Dabi, ndërsa për takimin në fjalë ishin grumbulluar 5 futbollistë të
Shkëndijës, prej të cilëve 4 kishin minuta (Hasani, Bejtullai dhe Doriev ishin titullarë, Stojanovski u inkuadrua në pjesën e dytë, ndërsa në bankinë mbeti portieri Zahov). Kjo bëri që stafi teknik i Shkëndijës në këtë periudhë mos të kishte në stërvitje gjithë futbollistët, me ekipin që para sfidës me Skopjen zhvilloi vetëm dy seanca stërvitore me formacion të kompletuar (pa llogaritur Elezin dhe Nazifin).
Skopje kishte një pjesë të parë të sezonit për tu harruar, pasi është ekipi me më pak pikë të tubuara pas 11-të xhirove (vetëm 5 pikë me ecuri prej 7 humbjeve, 2 barazimeve dhe vetëm 1 fitore). Shkëndija pikërisht ndaj Skopjes mori fitoren e parë në sezonin e ri kur triumfuam 2:0 në Strugë, ndërsa luajtëm me Skopjen edhe në 1/8 e finales së Kupës kur në Tetovë regjistruam fitore bindëse 5:0", njofton FC Shkëndija.