Angel Di Maria në moshën 34-vjeçare zgjodhi të largohej nga Paris Saint Germain dhe të transferohej te Juventus në Seria A. Sulmuesi nënshkroi një kontratë njëvjeçare deri në verën e vitit 2023.
Eksperienca e tij e re nuk ka shkuar ashtu siç pritej për argjentinasin. Pavarësisht se aventura e tij nisi mirë, pasi gjeti rrugën e rrjetës që në debutim, Di Maria ka pësuar shpeshherë dëmtime dhe ai ka luajtur vetëm katër sfida me Juventusin në kampionat.
34-vjeçari së fundmi ka dhënë një intervistë, ku ka theksuar se kush është ëndrra e tij për të ardhmen. “Do të doja të kthehesha në Rosario.
Ëndrra e të gjithë atyre që luajnë në Argjentinë është të vijnë dhe të luajnë në Evropë, e imja është të kthehem një ditë për të veshur fanellën e Rosario Central. Është realitet, e kam thënë gjithmonë. Nëse më jepet rasti, do të doja ta bëja”.
Argjentinasi e ka nisur karrierën e tij në klubin e Rosario dhe në vitit 2007 bëri kalimin në Europë ku u transferua te Benfica. Dëshira e Di Maria është për ta mbyllur aty ku ai e ka nisur. Klubi i Rosario Cetral ndodhet në vendin e 19-të në kampionatin e Argjentinës dhe për të bërë realitet transferimin e Di Maria do të duhej një sforco e madhe financiare.
Së fundmi Di Maria ka pësuar sërish një dëmtim dhe nuk ka qenë i gatshëm për Juventusin. Megjithatë ai nuk e rrezikon pjesëmarrjen në botërorin e katarit dhe pritet të jetë i gatshëm për argjentinën.