Është mbyllur në barazim 1-1 miqësorja e luajtur në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Saleh Alshehri me penallti në fundin e pjesës së parë, ndërsa kuqezinjtë arritën të barazojnë në fillimin e pjesës së dytë me Bekim Balajn.
Pjesa e parë nisi e barabartë në lojë, por me kuqezinjtë që arritën të krijojnë më shumë mundësi shënimi. Fillimisht ishte Bitri që tentoi me kokë në minutën e 9-të në ekzekutimin e një goditje këndi, por që nuk arriti të gjejë kuadratin. Por mundësia më e mirë do të mbërrijë në minutën e 39-të, me Xhixhën që bën gjithçka mirë, madje duke kaluar dhe portierin e skuadrës kundërshtare, por gabon me portën e boshatisur.
Përfaqësuesja e Arabisë në të vetmin moment të rrezikshëm arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Është pikërisht minuta e 42-të, moment në të cilin vendasit kanë arritur të shënojnë nga pika e bardhë e penalltisë me anë të Saleh Alshehri. Gjyqtari i sfidës ka dalluar një prekje të topit me dorë nga ana e Bitrit dhe ka treguar pikën e bardhë, Saleh Alshehri ka firmosur për 1-0, që është dhe rezultati i pjesës së parë.
Fillimi i pjesës së dytë ka sjellë shumë ndryshime për kuqezinjtë: janë larguar: Hadroi, Mala Muçolli, Cikalleshi, Xhixha dhe Marku. Në vend të tyre: Balaj, Roshi, Rrapaj, Mitaj, Kallaku dhe Skuka.
I menjëhershëm reagimi kuqezi, një kombinim Rrapaj-Roshi-Balaj ka sjellë dhe golin e barazimit, me sulmuesin shkodran që ka arritur të finalizojë në minutën e 47-të, 1-1. Minutat në vazhdim nuk kanë sjellë ndryshim të rezultatit, gjithçka është mbyllur në barazim 1-1.