Trajneri i skuadrës së Shkëndijës, Qatip Osmani, beson se skuadra tetovare është në rrugën e duhur dhe në kërkim të titullit kampion.
Trajneri Osmani, pas fitores ndaj Skopjes me 1-0 në stadiumin në “Autokomandë”, theksoi se 3 pikët ishin objektiv kryesor dhe skuadra kuqezi ka realizuar planin e përgatitur.
Osmani me këtë rast beson se në këtë fazë të garave, me rëndësi është fitorja që erdhi me golin e vetëm të Ljupço Dorievit.
“Sigurisht më kënaq fakti se jemi afruar 3 pikë pranë kreut, por megjithatë ne duhet të jemi të gatshëm për çdo lojë që na pret. Duhet të shohim punën tonë, të marrim ndeshjet një nga një, sepse qëllimi përfundimtar është të dalim kampion.
Nuk është hera e parë që Shkëndija ndjek negativë për të dalë kampione. Kemi treguar edhe më parë se mund të arrijmë objektivin që kemi“ tha mes tjerash Osmani.
Sfida e radhës për Shkëndijën, do të jetë sërish në transfertë, kur në fundjavë do të takohen me skuadrën e Sileksit, në stadiumin në Kratovë.