Henrik Larsson ka qenë kritik për paraqitjen e Barcelonës në kompeticionin më të mirë të klubeve në kontinentin e vjetër.
Suedezi, i cili luajti me katalanasit si lojtar dhe ishte ndihmësi i Ronald Koeman në pankinën e “Camp Nou”, beson se blaugranat duhej të bënin më shumë, pas përforcimeve të spikatura të merkatos verore.
“Është një zhgënjim i madh që Barcelona nuk e kalon grupin në Champions League. Nëse jeni në një klub si Barcelona, prisni që të kalojë në fazën me eliminim direkt, më së paku, por edhe t’i shkojë deri në fund kompeticionit. Me lojtarët që nënshkroi këtë verë të gjithë besuam se mund ta hidhnte hapin e madh dhe të konkurronte realisht në Champions League, siç ka bërë vite më parë”.
Pikërisht kur do të festohet përvjetori i parë i shkarkimit të Ronald Koeman si trajner dhe që përkon me eliminimin e skuadrës katalanase në Champions League, Larsson ka dalë për të bërë këtë vlerësim. Suedezi ka komentuar tashmë në më shumë se një rast për pakënaqësinë e tij me mënyrën sesi u trajtuan Ronald Koeman dhe stafi i tij stërvitor.