Haaland shënoi 22 gola në 15 ndeshje

Futboll

Haaland shënoi 22 gola në 15 ndeshje

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 16:34
Haaland shënoi 22 gola në 15 ndeshje

Koha fluturon. Aq shumë, sa pak vite më parë duken sikur janë një shekull. Futbolli sot nuk flet më për shifrat e Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit, por për ato të një ylli të ri në ngjitje, Erling Halandit.

Sulmuesi norvegjez ka fluturuar në këtë pjesë të parë të sezonit: në 15 ndeshje në total ka shënuar 22 gola, shifra jashtëtokësori. Edhe në Premier Ligë numrat janë shkatërrimtare: 11 ndeshje, 17 gola, me një mesatare 1.55 gola për ndeshje dhe me tre tregolësha të shënuar deri tani (kundër Junajtidit, Notingemit dhe Kristal Palasit).

Pep Guardiola, trajneri i tij, nuk e fsheh admirimin për sulmuesin që kaq shumë e ka dashur në skuadër: “Haland është shumë i zgjuar. Pjesë e kësaj është edhe etika e tij e punës. Ai është ndër të parët që mbërrin në stërvitje, ashtu si Ruben, dhe një nga të fundit që largohet. Ai kujdeset në mënyrë perfekte për trupin e tij. Ai është i mirëushqyer dhe bën jetën e një profesionisti”.

Përveç 17 golave në Premier, Haland i shton rekordeve të tij këtë sezon edhe 5 gola në 4 ndeshje në Champions, një tjetër kompeticion ku ai shënon më shumë se një gol për ndeshje: dopietë kundër Kopenhagenit, dopietë kundër Seviljes dhe një gol ndaj ishskuadrës së tij, Dortmundit.

VRASËSI PORTUGEZ – Përpara Halandit, kishte dy “vrasës” të tjerë në zonë: Mesi dhe Ronaldo. Të dy kanë bërë sezone të njëpasnjëshme me shifra të frikshme. Megjithatë, në karrierën e tyre askush nuk ka bërë një nisje më të mirë të sezonit sesa Erling me Sitin. Vetëm Kristiano Ronaldo barazon 22 golat e Halandit në sezonin 2014-‘15. Në atë kohë, portugezi luante për Realin dhe e nisi sezonin shumë fort: ai shënoi 4 gola kundër Elçes dhe dy tripleta kundër Deportivos dhe Bilbaos. Ai shënoi edhe një dopietë në finalen e Superkupës së Europës, kundër Seviljes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat