Ishim mësuar ta shihnim në fushë me fanellën e kuqe, por në verë Egzon Belica la Partizanin në mënyrë të befasishme pas rreth katër vitesh, kur mundi të fitojë titullin kampion dhe Superkupën.
Në verë ai ndryshoi ngjyra dhe firmosi me Prishtinën, teksa në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi nga Struga tregon për eksperiencën me ekipin e ri, si dhe flet gjerë e gjatë për Partizanin. Sipas Belicës, Ilir Daja është i duhuri për Kombëtaren.
Egzon, ndërruat skuadër pas disa vitesh, çfarë ju bindi të kalonit te Prishtina?
Duke pasur parasysh vështirësitë që kalova në fund të përvojës sime te Partizani dhe largimin jo siç e mendoja unë nga ekipi, besoj se zgjedhja më e duhur ishte kalimi në një ligë të një vendi tjetër. Arsyeja tjetër ishte edhe këmbëngulja e drejtorit të Prishtinës, Driton Krasniqi, të cilin e kam njohje të vjetër, pasi kemi luajtur bashkë në fillimet e mia. Prej kësaj kalimi im te Prishtina u bë më i lehtë.
Aventura juaj e parë në Kosovë, si është të luash atje?
Kampionati i Kosovës është në rritje e sipër. Pak pengesë bëhen fushat, sepse nuk janë në nivelin e Kategorisë Superiore, por besoj se me kalimin e kohës edhe kjo infrastrukturë do të rregullohet dhe kampionati do të jetë më atraktiv për tifozët dhe për vetë futbollistët e stafet e ekipeve.
Sa ndryshon me Shqipërinë? Ku janë më të pasionuar pas futbollit?
Mund të them lirisht se këtu (në Kosovë) janë shumë të pasionuar pas futbollit. Prishtina ka një tifozëri të madhe, pasi është klubi më i madh në vend. Diferencat mes lojtarëve në të dyja ligat nuk janë të mëdha, pasi edhe këtu gjen lojtarë shumë të mirë, që mund të bëjnë mirë edhe në kampionate shumë më të forta.
Sa mund të arrijë Prishtina në këtë sezon?
Qëllimi i ekipit këtë sezon është hyrja në garat europiane për arsyen e vetme se këtë sezon çdo gjë është krijuar nga e para. Klubi ka një kryesi të re, stafi teknik ka ndryshuar gjithashtu dhe thuajse 80% e ekipit janë të rinj. Besoj se çdo gjë kërkon kohën e vet.
E prisnit këtë ecuri të Partizanit në start?
Qëllimi i Partizanit në çdo sezon është fitimi i titullit kampion. Ka një organikë shumë të mirë lojtarësh. Kanë bërë paraqitje shumë të mira në këtë sezon dhe janë me meritë të plotë në vendin e parë. Shpresoj dhe dëshiroj shumë të që të vazhdojnë sa më gjatë aty.
Si ju është dukur loja e Sotës, duke ditur se ai është lojtari që ka zëvendësuar largimin tuaj?
Unë i kam ndjekur thuajse të gjitha ndeshjet dhe Sota ka bërë shumë mirë, së bashku me Bitrin dhe të tjerë. Është lojtar me vlera dhe me ndihmën e Bitrit, që ka më shumë përvojë, njeh mirë ekipin dhe kampionatin, së bashku ata mund të bëjnë një dyshe të fortë, që i jep siguri ekipit në vazhdimësi.
Bitri ka marrë shiritin e kapitenit sivjet, e ka ai mentalitetin e liderit te Partizani?
Po, patjetër. Bashkë me Albanin (Hoxhën) dhe Telushin janë ata që do ta udhëheqin ekipin në këtë sezon dhe në vazhdim. Përveç të tjerash Bitri po zhvillon një kampionat shumë të mirë dhe është me plot meritë kapiten i ekipit.
Ju keni punuar edhe me italianë të tjerë te Partizani. Me aq sa keni parë ju, ku ndryshon Kolela nga ata?
Trajnerin e ri nuk e njoh shumë dhe nuk guxoj të jap asnjë gjykim. Fakti që janë në vendin e parë tregon shumë dhe besoj se po bën një punë të mirë me ekipin deri në këtë periudhë të kampionatit.
Si ju duken në krahasim me vjet?
Ekipit vjet iu bënë shumë ndryshime dhe mendoj se prapëseprapë iu mor maksimumi. Këtë vit janë shumë të fortë dhe tabela e renditjes e verifikon këtë fakt.
Janë “demat” pretendentë kryesorë për titullin kampion?
Patjetër që janë pretendentë kryesorë për titullin, edhe pse është ende herët dhe janë edhe disa ndeshje për t’u luajtur. Duke pasur parasysh edhe luhatjet e ekipeve të tjera deri më tani, Partizani i ka shfrytëzuar shumë mirë. Gjithsesi, mendoj se do të jetë një garë e fortë për titullin kampion sivjet.
A e kishit menduar ndonjëherë se do të visheshit bardheblu, megjithëse në një kryeqytet tjetër?
Të të them të drejtën, unë mendoja se do të qëndroja deri në fund te Partizani, por përderisa gjërat ndodhën siç ndodhën, pak rëndësi ka se cilat ngjyra vesh më pas. Në fund të fundit mjafton të ndihesh mirë dhe të jesh i respektuar.
Si është që pas një kohe të gjatë si trajner i ekipit tënd, ta kesh Ilir Dajën si kundërshtar?
Unë kam shumë respekt për profesor Ilirin, sepse kam mësuar shumë prej tij, por sporti kështu është dhe tani jemi kundërshtarë. Te Ballkani kanë ndërtuar një ekip të mirë dhe të fuqishëm dhe jo më kot janë në grupet e Ligës së Konferencës.
Flitet për Dajën te Kombëtarja dhe ai ju ka trajnuar ju. Mendoni se mund të bëjë mirë te kuqezinjtë?
Për aq kohë sa kam pasur mundësinë ta kem trajner te Partizani besoj dhe mendoj se ka aftësinë e duhur të menaxhojë një Kombëtare. Në fund të fundit pse jo? Nuk do të ishte keq që Kombëtarja jonë të ketë një trajner shqiptar.