Në konferencën për medie para ndeshjes, Llapi – Drita, kryetrajneri i Dritës Ardian Nuhiu dhe portieri Faton Maloku, folën për përgatitjet dhe pritjet në ndeshjen e javës së 14-të të elitës së futbollit të Kosovës.
Nuhiu theksoi se Drita do të jetë e përqendruar në maksimum dhe me seriozitetin më të madh do t’i qasen edhe ndeshjes së nesërme.
“Gjithmonë kemi zhvilluar ndeshje interesante ndaj KF Llapit, sepse kanë futbollistë cilësorë dhe për këtë kemi punuar gjatë javës për të eliminuar pika e tyre të forta. Më pëlqen atmofera te ekipi, kam besim të plotë te skuadra që nesër të bëjmë një ndeshje të mirë, por aspak të lehtë. Fokusi dhe të gjitha energjitë që kemi punuar gjatë javës do të mundohemi t’i shprehim sot.
Është e rendësishme për ne si skuadër që të përballemi me përgjegjësi ndaj kundërshtarit, sepse kanë edhe ata cilësitë e veta. Do të jetë përballje e fortë, që kërkon diciplinë dhe taktizime dhe do të mundohemi që ato që i kemi përgatitur nesër me skuadrën t’i nxjerrim në fushë për t’i marrë tri pikë që janë të rëndësishme për vazhdimësinë”, ka thënë Nuhiu,
Në pyetjet e gazetarëve, trajneri Nuhu u përgjigj në disa nga to, duke theksuar se për çdo dështim faji i takon atij, ndërsa për rezultatet pozitive dhe sukseset janë meritorë futbollistët.
“Do të jemi të përqendruar në maksimum, do të mundohemi t’i marrim ndeshjet një nga një dhe do të qasemi me seriozitetin më të madh për të marrë maksimumin deri në fund.
Gjithmonë jam kërkues, sepse këta futbollistë kanë vlera dhe potencial. Për çdo dështim të skuadrës sonë fajtori jam unë, ndërsa çdo sukses është i futbollistëve. Gjithmonë marr përgjegjësi për çdo ndeshje, sepse jam unë ai që menaxhoj me këta djemë që kanë shumë për të dhënë”, përfundoi Nuhiu.
Ndeshja luhet sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” duke filluar në orën 13.00.