Rikthimi i Kristiano Ronaldos me gol pas pezullimit nuk do t’i garantojë sulmuesit portugez një vend në skuadrën e Junajtidit kundër Uest Hemit të dielën në “Old Trafford”. Por trajneri Erik ten Hag beson ende se 37-vjeçari mund të arrijë në kuotën e 20 golave këtë sezon.
Holandezi e thirri Kristianon në formacionin titullar kundër Sherif Tiraspolit në Ligën e Europës të enjten, pasi e la jashtë ndeshjes me Çelsin, sepse ai refuzoi të hynte në fushë nga stoli kundër Totenhemit. Ronaldo shënoi një gol të vonë duke kompletuar fitoren 3-0 të anglezëve, i cili ishte i treti personal këtë sezon.
Por ai shpërdori disa raste tjera dhe duket larg shifrës së 24 golave që arriti sezonin e shkuar. Tekniku hezitoi të konfirmonte nëse ish-ylli i Realit do të jetë sërish titullar nesër kundër Uest Hemit në mungesë të Marsialit të dëmtuar. I pyetur nëse Kristiano mund të arrijë nivelet e sezonit të shkuar, ai u përgjigj:
“Është në dorën e tij. Por unë mendoj se kur mbledh të gjitha shanset që ai krijon dhe skuadra krijon për të në këto javët e fundit, ti shikon se ai është ende në gjendje për t’i finalizuar ato.
Dhe unë mendoj se është e mundur. Ai nuk u dorëzua në këtë ndeshje.
Vazhdoi të luftonte për t’u gjendur në pozicionet e duhura. Mendoj se gjatë gjithë karrierës këtë ka bërë.
Prandaj është kaq i mirë. Në fund, ai shpërblehet për këtë. Nuk e di nëse do të jetë titullar. Unë nuk kam dy skuadra të ndryshme të ndara, njërën për në Europë dhe tjetrën për në Premier Ligë.
Unë shoh kundërshtarin dhe e përshtat skuadrën sipas tij. Dhe nuk kam nevojë për vetëm 11 lojtarë, por më duhet e gjithë skuadra. Shpresojmë që Marsial të na rikthehet përpara Botërorit”.